Në maj të vitit 2023, thuajse dy muaj përpara sekuestrimit të inceneratorit të Tiranës, kryeministri Edi Rama i mbrojti projektet e incineratorëve si vepra të një rëndësie të veçantë.
“Ato janë vepra shumë të rëndësishme dhe unë jam shumë krenar që i kam bërë ato,” tha Rama në një intervistë për Euronews Albania, duke nënkuptuar se incineratorët po funksionin dhe po shpëtonin “popullata të tëra nga helmet”.
Por ndryshe nga ç’pretendon kryeministri, në incineratorin “fantazmë” të Tiranës gjithë sa ka mbetur mbrapa është një mal gjigand me plehra dhe një gropë e thellë financiare.
Kompania Integrated Energy BV SPV, e cila menaxhon landfillin e Sharrës, ka gjasa do t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë edhe së paku 47 milionë euro të tjera për shkak se, sipas të dhënave të bilancit të kompanisë, pronarët kanë tërhequr prej saj shuma të mëdha parash në formën e “parapagimeve” për punimet e supozuara të investimit apo në formën e huave nga kompania te aksionerët, ndërsa kanë lënë miliona euro të tjera detyrime të papaguara kundrejt Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe dy bankave.
