Një tjetër skandal i rëndë po trondit politikën shqiptare. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dyshohet të ketë lidhje të ngushta me bandën kriminale të Elbasanit, një organizatë e përfshirë në vrasje dhe trafik narkotikësh, anëtarë të së cilës së fundmi janë arrestuara dhe goditur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Konkretisht hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë zbuluar se anëtarë kyç të bandës së Suel Çelës, dyshohet se janë dy vëllezërit Marsel dhe Xhino Roka.
Por këtë të fundit duket se kanë lidhje të drejtpërdrejta me administratën shtetërore, ku familjarë të tyre kanë zënë pozita të larta. Babai i tyre, Agron Roka, drejton një nga burgjet më të rëndësishme, ndërsa motra Adelajda Roka është emëruar Drejtore e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, post ky që varet drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit. Kjo ngre pyetje serioze mbi ndikimin e bandave në qeverisje dhe përfshirjen e shtetit në mbështetje të aktiviteteve kriminale. Edi Rama, që ka ndërtuar imazhin e një kryeministri të fortë dhe të palëkundur, duket se është krejtësisht “i verbër” kur vjen puna tek përfshirja e familjarëve të anëtarëve të bandave kriminale në pozita drejtuese. Si mund të ndodhte që drejtori i një burgu dhe një drejtoreshë agjencie të kenë lidhje me njerëz të përfshirë në vrasje dhe trafik narkotikësh, ndërkohë që Rama ka “sy” për të parë vetëm sukseset e qeverisë?
Si ka mundësi që kryeministri Rama nuk e ka “vënë re” këtë realitet, që ndodh nën hundën e tij? Sigurisht, për të, është më e lehtë të flasë për reforma dhe zhvillim, se sa të merret me lidhjet e errëta që mbajnë në këmbë një pjesë të administratës që ai drejton. Nëse “rastësisht” ato lidhje janë për të “pa dashura”, atëherë, edhe besimi i qytetarëve në drejtësinë e tij është i barabartë me atë të një sirenë që këndon përmes bandave. Megjithatë për sa më sipër, është kryeministri Edi Rama që duhet të japë shpjegime për këto pyetje dhe dyshime, ndërkohë që sqarojmë se gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.
Detajet
Nga ana tjetër, mediat dje kanë bërë edhe një analizë të lidhjeve të anëtarëve të bandës së Elbasanit me kryeministrin Edi Rama. “Lapsi.al” raporton se mes të akuzuarve të bandës së Suel Çelës nga Prokuroria e Posaçme janë edhe dy vëllezërit Marsel dhe Xhino Roka, dy personazhe që rezultojnë të jenë anëtarë kyç të organizatës kriminale, “të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve”. Të dy këta pjesëtarët e bandës së Elbasanit janë përmendur në media për punësimet e familjarëve të tyre në administratën e lartë shtetërore, për babain e tyre Agron Roka, drejtor i burgut të Bradasheshit ndërsa e motra, mban postin e Drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, në varësi direkte të kryeministrit Edi Rama. Por më shumë se kaq, pjesëtarët e bandës së Suel Çelës, kanë qenë edhe aktivistë të Partisë Socialiste, të angazhuar për mbrojtjen e Edi Ramës gjatë vizitave të tij në qytetin e Elbasanit.
