Kryeministri Edi Rama dha argumentin e Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë për katër mandate, në mbrojtje të kandidimit të vet për një mandat të katërt. Pa pasur nevojë të hyjmë në diskutime krahasimore mes Merkelit dhe Ramës, duhet të vërejmë se ka disa ndryshime kyçe mes një vendi si Gjermania dhe një tjetri si Shqipëria, që e bën krahasimin të pavend.
Nga Gjergj Erebara
Në vitin 2017, Turqia mbajti një referendum kushtetues ku ndryshimet transformuan presidencën e Turqisë në një presidencë ekzekutive, me pushtete të gjera edhe mbi sistemin e drejtësisë. Në një debat në një televizion shqiptar, një grua që mbulonte flokët, në një lloj solidariteti mes myslimanësh, mbështeti nismën e referendumit kontrovers në Turqi me argumentin se “edhe Shtetet e Bashkuara janë Republikë Presidenciale”.
Krahasimi mes Turqisë, një vend që ka kaluar nga diktatura ushtarake në formën e republikës parlamentare disa herë që nga themelimi i shtetit nga Ataturku, i cili ishte çlirimtari, themeluesi, babai i kombit dhe diktatori i parë e jetëgjatë, me Shtetet e Bashkuara, një vend që u themelua si demokraci nga Etërit Themelues, – pavarësisht të gjitha vërejtjeve që njeriu normal ka ndaj kësaj demokracie, nga historia e skllavërisë te e drejta jouniversale për të votuar, te pabarazia dhe te pushteti i stërmadh i pasunarëve si Trump apo Musk – ishte në fakt sikur të ta rrasnin me shpullë surratit në një tejkalim krejtësisht të pabesueshëm të ligjeve të logjikës.
Jemi gati tetë vjet pas dhe gjërat duket sikur nuk kanë ndryshuar. Erdogani vijon të jetë president, kësaj here me fuqi ekzekutive, ndërkohë që logjika ta do ndryshe. Dhe Rama në Shqipëri vijon të jetë kryeministër, në një kontekst krejt tjetër, krejtësisht të pakrahasueshëm me Turqinë e Erdoganit dhe po kaq të pakrahasueshëm me Gjermaninë e Angela Merkel.
