Ilirjana Kuçana: Pas rikonfirmimit të Sali Berisha, opozita ka nevojë për një ekip të fortë dhe funksional

Data

Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partia Demokratike, Ilirjana Kuçana, ka komentuar procesin e votimit për kreun e partisë, duke theksuar se opozita duhet të fokusohet tashmë te ndërtimi i një ekipi të fortë politik.

E ftuar në një emision televiziv, Kuçana tha se pjesëmarrja dhe debatet rreth procesit tregojnë gjallëri politike brenda PD-së dhe se “qetësia nuk i bën mirë” partisë.

“Kur ka dëshirë për votim dhe pjesëmarrje, kjo është diçka pozitive. Partia Demokratike prej kohësh nuk ka pasur situata të qeta dhe kjo tregon se ka ende energji dhe angazhim politik”, u shpreh ajo.

Kuçana deklaroi se e ka mbështetur Sali Berisha që nga nisma e “Foltores”, duke e konsideruar si figurën që mbajti të bashkuar opozitën në momentet më të vështira.

“Besoj që është njeriu që shpëtoi pluralizmin politik dhe që arriti ta mbajë Partinë Demokratike të bashkuar pas një periudhe të vështirë ndasish”, tha ajo.

Megjithatë, sipas Kuçanës, sfida kryesore për PD-në pas rikonfirmimit të Berishës nuk lidhet më me figurën e kryetarit, por me përzgjedhjen e strukturave dhe ekipit drejtues që do të përfaqësojë opozitën në betejat e ardhshme politike.

“Një lider, sado i fortë të jetë, ka nevojë për një ekip të fortë. Mendoj që diskutimi duhet të zhvendoset tashmë te ekipi që do të ketë Partia Demokratike dhe njerëzit që do të përballen në fushën politike”, deklaroi ajo.

Kuçana shtoi se zgjedhja e organeve të tjera drejtuese do të jetë një moment i rëndësishëm për forcimin dhe organizimin e opozitës në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related