Londra do të vazhdojë të shpallë “non-grata”, ja pse nuk bëhen publikë emrat që kanë futur në “listën e zezë” dhe…

Data

Britania e Madhe do të vazhdojë përpjekjet e saj për të kufizuar hyrjen e individëve të lidhur me korrupsionin, krimin e organizuar, dhe aktivitete të tjera të dëmshme për sigurinë dhe interesin publik. “Home Office”, ministria qeveritare e Mbretërisë së Bashkuar që merret me çështjet e brendshme të vendit, si siguria publike, imigracioni, lufta kundër krimit, dhe antiterrorizmi, në reagimin e saj për gazetën “SOT”, japin sinjale se do të ketë “non-grata” të tjerë.

Gazeta pyeti “Home Office” se a rrezikon të jetë pjesë e “listës së zezë” edhe ish-presidenti Ilir Meta që është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale (SPAK) dhe akuzohet për korrupsion në bashkëpunim në tri raste, pastrim parash dhe mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë? Londra u shpreh se në këtë rast zbatohet ligji për Mbrojtjen e të Dhënave 2018, i cili përcakton nevojën për të mbrojtur informacionin personal të individëve. Ndaj edhe këto emra mbeten të fshehtë për publikun. “Jemi të detyruar të respektojmë kërkesat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave 2018, i cili përcakton nevojën për të mbrojtur informacionin personal të individëve. Prandaj, nuk mund të jap informacion mbi një individ kur kërkesa është bërë nga dikush që nuk është subjekti i të dhënave ose përfaqësuesi i tij ligjor”, thuhet në përgjigjen e “Home Office” për gazetën “SOT”.

Londra do vazhdojë të shpallë “non-grata” të tjerë

Në reagimin e tyre “Home Office” bën me dije se Mbretëria e Bashkuar pritet të vazhdojë të zbatojë masa të rrepta ndaj individëve që cenojnë sigurinë e tyre kombëtare, sikundër janë personat e përfshirë në afera korruptive e kriminale. “Megjithatë, në terma më të përgjithshëm, Sekretarja e Brendshme mund të vendosë të përjashtojë ose deportojë një individ që nuk është shtetas britanik nëse ajo vlerëson se prania e tij në Mbretërinë e Bashkuar nuk është e favorshme për interesin publik. Sekretarja e Brendshme do të përdorë këto kompetenca kur është e justifikuar dhe bazuar në të gjitha provat e disponueshme. Së fundi, duam t’ju sigurojmë se Qeveria mban një qëndrim të fortë ndaj individëve prania e të cilëve në këtë vend mund të mos jetë e favorshme për interesin publik, dhe Ministria e Brendshme do të vazhdojë të shqyrtojë rastet që na bëhen të ditura dhe t’i konsiderojë ato në bazë të meritave individuale”, përfundon reagimin “Home Office” për gazetën “SOT”.

Procesi i shpalljes “non-grata”

Kur individët shpallen “non-grata” nga Mbretëria e Bashkuar, ky vendim merret pas një analize të thellë mbi përfshirjen e tyre në aktivitete që nuk janë të favorshme për interesin publik. Ky proces përfshin analiza nga disa agjenci qeveritare, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Shërbimet e Inteligjencës, të cilat vlerësojnë provat për veprimtarinë e dyshuar kriminale të personave të ndryshëm. Për më tepër, bashkëpunimi me vende partnere dhe agjenci ndërkombëtare siguron që të gjitha veprimet të bazohen në të dhëna të plota dhe të qëndrueshme. Shpallja “non-grata” për individët nuk është thjesht një masë administrative; ajo sjell pasoja të rënda për personat e përfshirë, duke përfshirë ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve. Megjithatë, për të shmangur cenimin e të drejtave ligjore dhe për të siguruar një qasje të drejtë ndaj të gjithë të përfshirëve, autoritetet zgjedhin të mos i bëjnë publike këto emra.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related