Prokuroria ka nisur procedim penal ndaj Adriatik Lapajt dhe dy aktivistëve të tjerë të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, pas përplasjeve të ndodhura mbrëmjen e së premtes me Policinë para godinës së Kryeministrisë në Tiranë.
Sipas njoftimit të Policisë, tre personat po hetohen për veprat penale:
- “Pushtimi i tokës”
- “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”
- “Prishja e qetësisë publike”
Ngjarja ndodhi pasi Lapaj paralajmëroi rikthimin e çadrave të protestës para Kryeministrisë. Ai dhe aktivistët e tij vendosën një çadër në zonë, në shenjë proteste.
Megjithatë, pak minuta më pas në vendngjarje mbërritën dhjetëra efektivë policie, të cilët larguan çadrën, karriget dhe pankartat e vendosura nga aktivistët.
Aksioni i policisë u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa situata u tensionua për disa minuta para se të qetësohej.
Sipas Policisë së Tiranës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 1 kanë referuar materialet në Prokurori për shtetasit A. L., E. H. dhe A. B., ndërsa hetimet për ngjarjen janë në vijim.
