Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj spekulimeve se Irani mund të ndërmarrë një sulm ndaj Shqipërisë, duke theksuar se vendi ynë është pjesë e NATO-s dhe mbrohet nga mekanizmat e sigurisë së aleancës.
Në episodin e radhës të podcast-it “Flasim”, Rama u ndal te zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe theksoi se prioritet kryesor për qeverinë shqiptare mbetet siguria e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në rajonin e konfliktit.
Sipas tij, përfaqësitë diplomatike dhe konsullatat shqiptare në rajon janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase dhe po monitorojnë situatën për të informuar dhe asistuar qytetarët shqiptarë.
Rama komentoi edhe spekulimet për një sulm të mundshëm ndaj Shqipërisë, duke i cilësuar ato si dezinformim dhe thashetheme.
Ai theksoi se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe se reagimi i aleancës do të ishte i menjëhershëm në rast të një kërcënimi.
“Ju kujtoj të gjithëve që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe sikundër NATO e demonstroi qartësisht në Turqi, ku goditi menjëherë një raketë të ardhur nga Irani, ky kapacitet reagimi vlen për të gjitha vendet anëtare”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi gjithashtu se situata aktuale kërkon qetësi dhe informim nga burime zyrtare, duke paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së lajmeve të rreme në një moment tensioni ndërkombëtar.
Ndërkohë, ai shprehu solidaritet me vendet e prekura nga sulmet në rajon, duke përmendur Qipron, Greqinë dhe Turqinë, të cilat janë përballur me kërcënime gjatë përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
