Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka deklaruar se autoritetet shqiptare mund të shpallin edhe persona të tjerë “non grata”, nëse vlerësohet se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare ose janë të përfshirë në veprimtari kriminale.
Në një intervistë televizive, Lamallari tha se në tryezën e tij mbërrijnë çdo javë dhjetëra kërkesa nga agjencitë e zbatimit të ligjit, të cilat shqyrtohen në përputhje me procedurat ligjore.
Sipas ministrit, masat mund të prekin persona të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, krime të rënda, mashtrime apo shantazhe ndaj qytetarëve.
Ai theksoi se pjesëmarrja e një individi në protesta nuk ndikon në vendimmarrjen e institucioneve, nëse ndaj tij ekzistojnë elemente që justifikojnë masa administrative ose ligjore.
“Detyra jonë është të zbatojmë ligjin pa dallim dhe pa u ndikuar nga presioni publik apo debatet politike. Policia e Shtetit duhet të mbrojë qytetarët dhe interesin publik në çdo rast”, u shpreh Lamallari.
Ministri shtoi se procesi i shqyrtimit të rasteve është i vazhdueshëm dhe se çdo vendim merret mbi bazën e informacioneve dhe vlerësimeve të institucioneve ligjzbatuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
