Një incident i rëndë me armë zjarri është shënuar në orët e para të së hënës në zonën Agios Dimitrios në Athinë, ku janë plagosur pronari i një restoranti suvlaki dhe djali i tij.
Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 02:40 tre persona kanë mbërritur me makinë pranë biznesit në rrugën Agoniston Polytechneiou dhe kanë qëlluar me armë ndaj dy personave. Biznesmeni 70-vjeçar, me origjinë shqiptare, është plagosur në këmbë, ndërsa djali i tij 39-vjeçar ka marrë plagë në kofshë dhe në pulpë.
Të plagosurit janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje policia ka gjetur dhe sekuestruar katër gëzhoja, ndërsa autorët janë larguar menjëherë pas sulmit me automjet, duke humbur gjurmët.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë dhe po shqyrtohen pistat mbi motivet e sulmit.
