Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar se Shqipëria, sipas tij, drejtohet sot nga një grup kriminal që e ka marrë peng vendin, duke theksuar se problemi nuk është vetëm politik, por shoqëror.
Në një intervistë televizive, Këlliçi u shpreh se opozita duhet të ndërtojë një front të gjerë për rrëzimin e qeverisë dhe se debati “ja iku Edi Rama, po kush do vijë?” është i gabuar. Sipas tij, alternativa janë politikanë dhe qytetarë që nuk kanë futur duart në xhepat e qytetarëve dhe nuk kanë lidhje me struktura kriminale.
Ai pranoi se ekziston edhe ajo që e quajti “opozitë e opozitës”, figura publike që, sipas tij, ndihmojnë në ruajtjen e status quo-së dhe përforcojnë idenë se “të gjithë janë njësoj”. Këlliçi shtoi se një pjesë e kritikëve të opozitës mund të mos e kuptojnë se distancimi i tyre, në praktikë, ndihmon mazhorancën.
Sipas deputetit, kriminalizimi i politikës nuk është problem i anëtarësisë së majtë apo i socialistëve si komunitet, por buron nga kreu i qeverisë. Ai theksoi se fryma, ideologjia dhe mënyra e drejtimit vijnë nga kryeministri Edi Rama, duke kujtuar edhe miratimin e ligjit të dekriminalizimit pas mandatit të parë të qeverisë aktuale si tregues i thellësisë së problemit.
Në përfundim, Këlliçi bëri thirrje për reflektim të gjerë shoqëror, duke e cilësuar situatën si një çështje që prek të gjithë qytetarët dhe jo vetëm Partinë Demokratike.
