Eksperti ligjor Indrit Sefa ka paralajmëruar se qëndrimi në detyrë i zv/kryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK, përbën rrezik serioz për hetimin penal ndaj saj.
I ftuar në një emision televiziv, Sefa u shpreh se rikthimi i Ballukut në detyrë i jep asaj mundësi konkrete për të ndikuar në procesin hetimor, duke përfshirë intimidimin e dëshmitarëve dhe ndërhyrjen në prova.
“Ka mundësi reale për helmim të provave. Fakti që ka pasur intimidim dëshmitarësh e tregon qartë këtë rrezik. Ajo mund të largojë dokumente nga zyra, të ndikojë te vartësit apo të prishë gjurmë të rëndësishme për hetimin. Ka shumë mënyra për të ndërhyrë”, u shpreh Sefa.
Sa i përket shtyrjes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese, eksperti ligjor tha se kjo mund të lidhet me mungesën e një mazhorance vendimmarrëse brenda trupës gjyqësore.
“Duhet sqaruar se aktualisht Gjykata Kushtetuese ka 8 anëtarë. Nëse votimi përfundon 4 pro dhe 4 kundër, vendimi konsiderohet i rrëzuar. Për të marrë një vendim kërkohen të paktën 5 vota”, shpjegoi ai.
Sipas Sefës, çështja Balluku është me rëndësi të veçantë, pasi vendimi i Kushtetueses do të krijojë precedent për raste të ngjashme në të ardhmen dhe do të përcaktojë kufijtë mes pushtetit ekzekutiv dhe drejtësisë.
“Është një çështje që do të ndikojë praktikën gjyqësore jo vetëm sot, por edhe në vitet që vijnë”, përfundoi ai.
