Baçi: Çështja Balluku po mbahet pezull, vendimi i Kushtetueses do të përcaktojë raportet mes pushteteve

Data

Analisti Agim Baçi ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur te çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe pritshmëritë ndaj Gjykatës Kushtetuese, si edhe te strategjia aktuale e opozitës dhe protestat e saj.

Sipas Baçit, rasti Balluku përbën një moment kyç institucional, pasi për herë të parë po përplasen drejtpërdrejt qeveria dhe Prokuroria e Posaçme mbi një kërkesë që prek kompetencat mes pushteteve. Ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë i plotë dhe shterues, pasi do të shërbejë si precedent për raste të ngjashme në të ardhmen.

Baçi u shpreh se zvarritja e vendimmarrjes krijon dyshime për presione politike dhe i shërben vetëm palëve që kërkojnë të fitojnë kohë. Sipas tij, një çështje me këtë peshë kërkon qartësi dhe zgjidhje, jo shtyrje të vazhdueshme.

Duke folur për opozitën, analisti vlerësoi se ajo nuk ka aktualisht forcën për të imponuar vullnetin e saj në Parlament dhe se raportet me faktorët ndërkombëtarë janë të dobëta. Ai theksoi se protestat e fundit nuk kanë karakter masiv popullor, por mbeten protesta politike, të lidhura më shumë me interesat e brendshme të opozitës.

Sipas Baçit, Sali Berisha po kërkon një kanal komunikimi me ndërkombëtarët, duke i parë ata si mjetin kryesor për të ushtruar presion ndaj mazhorancës. Megjithatë, ai vlerësoi se protestat duken të orientuara më shumë drejt betejave të brendshme në Partinë Demokratike, sidomos në prag të zgjedhjeve të brendshme, sesa drejt ndërtimit të një alternative konkrete për qytetarët.

Analisti shtoi se pozicioni politik i Berishës është bërë më i vështirë, pasi disa nga premtimet kryesore të rikthimit të tij, si bashkimi i opozitës, rrëzimi i qeverisë në afat të shkurtër dhe hapja e partisë, nuk janë realizuar, duke e bërë edhe më të ndërlikuar raportin e tij me mbështetësit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related