Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesën e Mediut, faksi “për Shkëlzenin” mbetet provë në dosjen Gërdeci

Data

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për kryerjen e një ekspertize kaligrafike mbi dokumentin e njohur si faksi “për Shkëlzenin”, i paraqitur si provë nga SPAK në procesin për dosjen Gërdeci.

Sipas vendimit të trupës gjykuese, ekspertiza nuk mund të kryhet pasi dokumenti në fjalë është një fotokopje dhe jo origjinali. Për rrjedhojë, faksi do të mbetet pjesë e dosjes hetimore dhe do të vlerësohet nga gjykata në tërësinë e provave.

Kërkesa për ekspertizë ishte paraqitur nga mbrojtja e Mediut në seancën e kaluar, me pretendimin se dokumenti është i manipuluar. Avokatët e ish-ministrit ngritën gjithashtu shqetësime për disa akte të tjera të referuara nga prokuroria, të cilat sipas tyre nuk ishin vënë në dispozicion të mbrojtjes. Për këtë arsye, seanca e radhës është shtyrë për më 10 shkurt.

Dëshmitë për fax-in

Dokumenti mbështetet edhe nga dëshmitë e dhëna nga ish-sekretarja e ministrit të Drejtësisë së asaj kohe, e cila ka deklaruar se faksi është dërguar me porosi dhe se Shkëlzen Berisha ka qenë i pranishëm në zyrë para dërgimit të tij. Faksi është sekuestruar nga organet e hetimit pas tragjedisë së Gërdecit në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas dëshmive, dokumenti është nisur nga zyra e ministrit të Drejtësisë drejt Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa shënimi “Për Shkëlzen Berishën” ka qenë i vendosur mbi kopjen e dërguar. Sekretarja e Ministrisë së Mbrojtjes ka pohuar se e ka marrë faksin me këtë shënim dhe e ka përcjellë në një zyrë ku mendohej se mund ta merrte Shkëlzen Berisha.

Çfarë tregon dokumenti

Sipas prokurorisë, faksi nuk është pjesë e komunikimit zyrtar, por përbën një kanal paralel informimi, që synonte njoftimin e Shkëlzen Berishës për ecurinë e procedurave lidhur me koncesionin e Gërdecit. Pikërisht ky komunikim informal, sipas akuzës, dëshmon ekzistencën e një mekanizmi paralel vendimmarrjeje brenda institucioneve shtetërore.

Gjykata vlerëson se dokumenti, pavarësisht se është fotokopje, në kombinim me dëshmitë dhe provat e tjera, përbën element të rëndësishëm për zbardhjen e rrethanave të çështjes dhe për këtë arsye nuk mund të përjashtohet nga dosja.

Procesi gjyqësor për dosjen Gërdeci vijon, ndërsa pritet që në seancat e ardhshme të administrohen edhe prova të tjera të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related