Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka zhvilluar nja takim në Kamëz.
“Duke mos ndëshkuar korrupsionin dhe krimin, SPAK ka kryer një tradhti të lartë kombëtare”, tha ai gjatë takimit me mbështetsit e Partisë së Lirisë.
Shumë faleminderit Arla dhe shumë faleminderit të gjithëve ju që keni ardhur në këtë takim, falenderoj në radhë të parë strukturat drejtuese në Bashkinë Kamëz, falenderoj edhe Bledin, drejtuesin e forumit tonë rinor në Bashkinë Kamëz dhe është merita e Bledit që në këtë takim ka kaq shumë të rinj, të cilët janë një shpresë e madhe për Partinë e Lirisë dhe për fuqinë e kësaj force politike, në këto kushte ku ndodhet vendi.
Një mirënjohje me përulësi, për secilin prej jush, për të gjitha sakrificat në opozitë në këto njëmbëdhjetë vite, për gjithë angazhimin tuaj të palodhur për hapjen dhe për zgjerimin e pandalshëm të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Kamzës.
Një falenderim për këshilltarët tanë të mrekullueshëm, që kanë justifikuar të gjithë besimin tuaj në bashkinë e Kamzës, të cilët vijojnë me vendosmëri betejën për llogaridhënie dhe transparencë në këtë Bashki, që për fat të keq, ashtu si edhe në pushtetin qëndror, është ndërruar sot në simbolin më të urryer të banorëve të Kamzës.
Është e pafalshme që kjo bashki në vitin 2024 ende nuk ka të zgjidhur çështjen e infrastrukturës rrugore dhe është një nga pesë bashkitë më të mëdha të vendit.
Është e pafalshme për buxhetin që ka kjo bashki, që ende nuk ka zgjidhur çështjen e ujit të pijshëm dhe është kriminale që ky pushtet sot të vijon të përdorë legalizimet në bashkinë e Kamzës si një mjet shantazhi dhe presioni për votën tuaj.
Në zgjedhjet e afërta do t’i kthehen jo me shuplaka, po me grushta turive Edi Ramës dhe të gjithë atyre që mundin gjakun djersën dhe sakrificën tuaj, që përpiqen ta përdorin si një mjet presioni politik.
Është kriminale që kjo qeveri dhe ky pushtet vendor kanë thelluar vit pas viti varfërinë në këtë bashki që sot, me sa u informova edhe nga këshilltarët tanë, edhe nga zoti Faik, ka thelluar dhe ka rritur numrin e familjeve në nevojë.
Duke iu dhënë atyre vetëm tridhjetë mijë lekë të vjetra të pamjaftueshme për t’i shtyrë ditën me koston e lartë të jetesës që ka sot vëndi dhe jo për të përballuar muajin, është kriminale që shkollat në bashkinë e Kamzës janë sot pa asnjë kusht dinjitoz për mësimdhënie, sepse para se të fillonin këtë takim, takova një bashkëqytetarin tuaj, i cili më tha që edhe ngrohjen në shkollat e Kamzës e paguajnë me lekët e xhepit.
Sepse as qeveria, as bashkia nuk kanë garantuar kushtet e nevojshme në shkolla.
