Pas një seance maratonë prej rreth 18 orësh, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në Kodin Penal, mes tyre edhe dekriminalizimin e shpifjes vetëm për gazetarët. Vendimi u votua me 85 vota pro nga mazhoranca, ndërsa opozita kundërshtoi mënyrën se si u realizua kjo ndërhyrje ligjore.
Ndërkohë që qeveria e paraqet këtë hap si pjesë të përmbushjes së kushteve për integrimin europian, organizatat evropiane të medias kanë reaguar ashpër, duke e cilësuar dekriminalizimin e pjesshëm si të papranueshëm dhe në kundërshtim me standardet e Bashkimit Europian.
Federata Europiane e Gazetarëve dhe organizata të tjera ndërkombëtare theksojnë se shpifja duhet të hiqet plotësisht nga Kodi Penal për të gjithë qytetarët dhe jo vetëm për një kategori të kufizuar profesionale. Sipas tyre, për sa kohë shpifja mbetet vepër penale, krijohet një efekt frikësues ndaj gazetarëve, aktivistëve, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që denoncojnë çështje me interes publik.
Organizatat ngrenë gjithashtu shqetësimin se ligji krijon pabarazi, pasi mbron vetëm gazetarët “e regjistruar dhe të njohur”, një koncept që sipas tyre është i paqartë dhe problematik, duke rrezikuar lirinë e shprehjes dhe sigurinë juridike.
Sipas reagimit, mbajtja e veprës penale të ofendimit në Kodin Penal dobëson çdo reformë të pjesshme dhe lejon ndjekjen penale të shprehjeve kritike përmes dispozitave alternative.
Në përfundim, organizatat evropiane kërkojnë dekriminalizim të plotë të shpifjes dhe ofendimit, si i vetmi standard i pranueshëm për mbrojtjen reale të lirisë së shprehjes dhe përputhjen e Shqipërisë me normat evropiane.
