Drejtuesi i organizatës Lëvizja Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, komentoi raportin më të fundit të Parlamenti Europian për Shqipërinë, duke theksuar se dokumenti njeh progresin e vendit, por njëkohësisht evidenton disa problematika serioze që kërkojnë zgjidhje.
Gjatë një interviste televizive, Gjipali u shpreh se raporti tërheq vëmendjen te çështje si liria e medias, dialogu politik, lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i institucioneve demokratike.
Sipas tij, raporti evidenton nevojën që organet e drejtësisë të lejohen të kryejnë punën e tyre pa presion politik.
“Tërhiqet vëmendja për lirinë e medias, dialogun politik, luftën kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve, ndarjen dhe balancimin e tyre. Janë fusha ku vendi duhet të tregojë jo vetëm progres, por edhe qëndrueshmëri,” u shpreh Gjipali.
Ai theksoi gjithashtu se raporti përmend edhe sulmet ndaj gazetarëve dhe mungesën e transparencës në disa procese institucionale.
Në lidhje me procesin e integrimit europian, Gjipali deklaroi se aktualisht Shqipëria ndodhet në një fazë të ndërmjetme, ku procesi formal ka hyrë në një lloj ngadalësimi.
“Aktualisht procesi është në dy shina. Nga njëra anë kemi procesin formal, ku ende mungon raporti IBAR dhe ka një stanjacion në ecjen përpara të hapave politikë. Nga ana tjetër, procesi i reformave vazhdon,” tha ai.
Sipas Gjipalit, raporti i Parlamenti Europian duhet parë si një sinjal për të përshpejtuar reformat dhe për të garantuar standarde më të forta demokratike në vend.
