Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të vendosin tarifa të reja për mikroçipat e importuar nga Kina, në kuadër të përpjekjeve për të frenuar dominimin kinez në industrinë e gjysmëpërçuesve dhe për të mbrojtur prodhimin vendas amerikan.
Sipas deklaratës së Zyrës së Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së, tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 23 qershor 2027. Deri më tani, mikroçipat kinezë janë importuar në SHBA pa tarifa, një praktikë që autoritetet amerikane thonë se ka krijuar avantazh të padrejtë për industrinë kineze.
Vendimi vjen pas një hetimi dyvjeçar mbi importet e mikroçipave nga Kina, i nisur gjatë administratës Biden. Autoritetet amerikane theksojnë se përpjekjet e Kinës për të dominuar industrinë globale të gjysmëpërçuesve dëmtojnë konkurrencën dhe tregtinë e lirë.
Zyrtarët amerikanë sqarojnë se afati i vitit 2027 u jep kompanive kohë për t’u përshtatur, për të ristrukturuar zinxhirët e furnizimit dhe për të rishikuar strategjitë e investimeve.
Ky hap pritet të përshkallëzojë më tej tensionet tregtare mes SHBA-së dhe Kinës dhe të shkaktojë reagime nga Pekini, ndërsa lufta ekonomike mes dy fuqive vazhdon të thellohet.
