Deputetja dhe zëvendëspresidentja e Partia e Lirisë, Erisa Xhixho, reagoi lidhur me raportin vjetor për Shqipërinë të Parlamenti Europian, duke deklaruar se dokumenti evidenton probleme serioze në funksionimin demokratik të vendit.
Sipas saj, raporti paraqet Shqipërinë si një vend ku zgjedhjet deformohen dhe ku opozita përjashtohet nga proceset vendimmarrëse.
“Raporti nxjerr në pah paralizimin e Parlamentit dhe përjashtimin e opozitës nga vendimmarrja, duke treguar qartë se pluralizmi është cenuar rëndë dhe institucionet nuk janë funksionale,” u shpreh Xhixho.
Ajo akuzoi mazhorancën se ka kthyer Kuvendin në një institucion formal që miraton vendimet e qeverisë pa debat real parlamentar.
Deputetja e Partia e Lirisë ndaloi gjithashtu te çështja e korrupsionit, duke iu referuar rënies së Shqipërisë në indeksin e Transparency International.
“Rënia dramatike me 11 vende nuk është më statistikë, por pasqyra e një qeverie që ka dështuar dhe refuzon të luftojë korrupsionin në nivelet më të larta,” deklaroi ajo.
Në reagimin e saj, Xhixho ngriti shqetësime edhe për lirinë e medias dhe raportet e tensionuara mes qeverisë dhe gazetarëve.
“Një qeveri që sulmon median është një qeveri që ka frikë nga e vërteta,” theksoi deputetja.
Ajo përmendi gjithashtu edhe problematikat e konstatuara nga OLAF lidhur me fondet e programit IPARD II, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie për mënyrën e përdorimit të fondeve të Bashkimit Europian.
Sipas Xhixhos, raporti i Parlamenti Europian përbën një sinjal alarmi për drejtimin që po merr vendi në raport me standardet europiane.
