Gazetari Ermal Peçi komentoi zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike dhe deklaratat e Sali Berisha ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato.
Në një intervistë televizive, Peçi u shpreh se Berisha ka ndërtuar vazhdimisht narrativën politike mbi identifikimin e kundërshtarëve, si brenda partisë ashtu edhe jashtë saj.
“Berisha nuk jeton dot pa shpallur armik, qoftë të brendshëm qoftë të jashtëm”, deklaroi gazetari.
Sipas tij, sulmet ndaj diplomatëve ndërkombëtarë synojnë të krijojnë perceptimin se kreu i PD-së është i rrethuar nga kundërshtarë politikë dhe institucionalë.
“Berisha kërkon të bëjë një panoramë para opinionit shqiptar se ky është një individ që i ka të gjithë kundër”, u shpreh Peçi.
Gazetari komentoi edhe garën për drejtimin e Partisë Demokratike, duke ironizuar procesin zgjedhor brenda forcës politike.
“Zgjedhje me një individ, nuk do votojë Saliu për Berishën”, tha ai.
Sipas Peçit, mesazhi që Berisha synon të përcjellë te mbështetësit është kërkesa për rreshtim të plotë pas tij dhe mospranimi i zërave kritikë apo alternativave të tjera brenda partisë.
“Ai do të japë një mesazh që po ju thotë mbështetësve të vet: ky është kilometri i fundit, ose me mua bllok, ose unë nuk pranoj asnjë zë që ka mëdyshje dhe jo më ambicie”, deklaroi gazetari.
