Ministria e Arsimit me drejtuese Ogerta Manastirliun ka arritur një nivel të ri inovacioni: kontrollon arsimin e lartë pa asnjë inspektim! Në vend që të sigurohet cilësia dhe standardet ligjore në universitetet publike dhe private, duket se inspektimet janë kthyer në një proces simbolik, ku pazaret dhe qokat zënë vendin e transparencës dhe përgjegjësisë. Sot, Ministria e Arsimit nuk është më një institucion për garantimin e cilësisë akademike, por një laborator marrëveshjesh të fshehta dhe interesash të ngushta. Inspektimet nuk kryhen për të siguruar respektimin e standardeve, por për të vërtetuar nëse universitetet e caktuara kanë ndarë “kontributin” e tyre në lojën e madhe të qokave.
Rrjeti i klientelizmit ka depërtuar thellë në çdo nivel, duke e shndërruar arsimin e lartë në një fushë të hapur për abuzime, manipulime dhe interesa private. Këtë fakt e mbështesin dhe raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku gazeta ka evidentuar shembullin e Akademinë e Sigurisë, ku rektori Ilirjan Mandro, sipas raportit të KLSH që disponon gazeta “SOT” e ka kthyer këtë institucion në një ndërmarrje të vogël private ku përkundrejt favoreve të vogla nepotike, aplikon ligjet e këtij shteti sipas mënyrës dhe interesit të tij pa ju dridhur qerpiku. Po ashtu rasti tjetër skandaloz është dhe i Erzen Tolës, Sekretarit të Përgjithshëm, i denoncuar se përveç të ardhurave nga paga, sigurohet të marrë edhe nja 10 mijë euro pagesa për honorare dhe pjesëmarrja në borde apo këshilla drejtues konkretisht nga Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Universiteti i Tiranës.
