Federica Mogherini lirohet pas ndalimit: Hetimet për mashtrim dhe korrupsion tronditin diplomacinë europiane

Data

Ish-shefja e diplomacisë së BE-së dhe dy zyrtarë të tjerë në qendër të një skandali financiar

Federica Mogherini, ish-Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe aktualisht rektore e Kolegjit të Evropës, u lirua gjatë natës pasi u mor në pyetje nga autoritetet, bashkë me diplomatin italian Stefano Sannino dhe zyrtarin Cesare Zegretti. Të tre ishin ndaluar pak orë më parë në kuadër të një hetimi të gjerë mbi dyshime për mashtrim dhe korrupsion në përdorimin e fondeve të BE-së.

Sipas Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO), e cila po udhëheq hetimet, akuzat e mundshme lidhen me mashtrim në prokurime publike, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Megjithatë, pas marrjes në pyetje, të dyshuarit u lanë të lirë pasi “nuk përbënin rrezik për arratisje”.

Kontrollet në EEAS dhe Kolegjin e Evropës

Ndalimi i Mogherinit erdhi pas kontrolleve të kryera të martën në mëngjes (2 Dhjetor) në selinë e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) në Bruksel dhe në Kolegjin e Evropës në Bruges. Hetimi lidhet me mënyrën se si EEAS ka dhënë një kontratë për një program trajnimi nëntëmujor të dedikuar për diplomatët e rinj evropianë.

Dyshohet se gjatë periudhës 2021–2022 ka pasur favorizim dhe konkurrencë të padrejtë në procesin e përzgjedhjes, çka i ka mundësuar Kolegjit të Evropës të përfitojë nga kontrata në mënyrë të parregullt.

Figurat e përfshira në hetim

Përveç Mogherinit, në qendër të hetimit ndodhet edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i EEAS (2021–2025), Stefano Sannino, si dhe një zyrtar i Kolegjit të Evropës, Cesare Zegretti. Prokuroria dyshon se bashkëpunimi i tyre mund të ketë çuar në keqpërdorim të fondeve të BE-së dhe në shmangien e procedurave të rregullta të tenderimit.

Hetimet vazhdojnë

Edhe pse të tre të ndaluarit janë liruar, hetimet vazhdojnë dhe EPPO ka njoftuar se pritet të mbledhë më shumë prova rreth mënyrës së dhënies së kontratave dhe rolit që kanë pasur zyrtarët e përfshirë. Skandali ka shkaktuar tronditje të menjëhershme në institucionet evropiane, duke hedhur dritë mbi nevojën për transparencë më të madhe në administrimin e fondeve publike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related