Arrestimi i djeshëm i ish-presidentit Ilir Meta me urdhër të SPAK, për avokatin Spartak Ngjela është një zhvillim që pritej. Sipas avokatit, kjo gjë u tregua nga vetë Meta me sjelljet jo të rregullta të muajve të fundit. Duke folur dje në një media, Ngjela theksoi se arrestimi i Metës, një ish-president, ish-kryeministër dhe ish-Kryetar Kuvendi, tregon se SPAK ka ngritur nivelin në luftën kundër korrupsionit.
“Meta e priste. Unë e kuptova që ai e kishte marrë vesh që dosja kishte shkuar për arrest sepse e kishte humbur koshiencën, ai dilte nëpër hekura…, d.m.th nuk ishte normal dhe kjo tregon se nuk kishte mbrojtje. Por që pritej arresti i tij nuk diskutohej. Provat do të shikohen në gjykatë, nuk mund të flas dot me provat e akuzës. Arrestimi do të thotë që SPAK ka ngritur nivelin. Pas arrestit të Berishës, ky është i dyti i nivelit të lartë. Ne e kemi shpresën te SPAK-u për t’i çliruar nga pushtimi i korrupsionit. Krimi i SPAK na dha shpresë dhe tani është një numër i konsiderueshëm që janë brenda, një ish-kryeministër, një ish-president, janë 4 apo 4 ministra, kryetarë bashkisë. Korrupsioni në Shqipëri ishte një gjëmë e madhe. SPAK nuk arreston kot, i ka provat shumë të sofistikuara”, deklaroi ai.
Ndërkohë Ngjela theksoi se Meta të kërkojë mëshirë në gjykatë. “Ky është një rast i rëndë. Por ai prezumohet i pafajshëm. Do dalë në gjykatë që të shohim provat. Një gjë është serioze. Që SPAK-ku filluar akuzat për korrupsion në nivelet e larta. Çdo institucion ka gabime, prandaj ka gjykatë. Unë nuk uroj që të dënohen, por nëse janë të pafajshëm, Meta, Berisha e ish-ministrat, le të marrin pafajësinë në gjykatë. Nëse nuk e marrin dot pafajësinë, le të kërkojnë mëshirë. Meta e sulmon SPAK-un, po çdokush ka të drejtë të mbrohet. Unë e di që Rama nuk ka lidhje me SPAK-un sepse kam gjyqe aty. SPAK-u formohet nga ekspertë të huaj. Blinken e ka deklaruar vetë që e drejtojnë ata SPAK-un. Nuk jep urdhra, por përmes ekspertëve ndihmojnë në goditjen e korrupsionit në Shqipëri. Blinken tha: do t’ia heqim korrupsionin, shqiptarëve. Le ta shikojmë nëse do ta heqin sepse korrupsioni ka qenë një plagë shumë e madhe në jetën tonë. Janë mbi 20 vjet korrupsion”, nënvizoi Ngjela.
