Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka lëshuar kritika të forta ndaj qeverisë, duke e akuzuar për mungesë të theksuar të strategjisë në çështjet e sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme.
Në një intervistë televizive, Mediu theksoi se shqetësimet e Kosovës për sigurinë janë të drejta, duke përmendur provokimet e vazhdueshme të Serbisë në veri të saj. Sipas tij, Shqipëria duhet të reagojë më fort në bashkëpunim me partnerët e NATO.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi ushtarak mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë është mbrojtës dhe nuk përbën kërcënim për askënd, ndërsa shtoi se vendi duhet të rrisë kapacitetet e mbrojtjes dhe koordinimin me aleatët.
Mediu kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se ka përqendruar vendimmarrjen në një dorë të vetme dhe ka dobësuar institucionet.
“Sot kemi një njeri që mendon se di gjithçka dhe kontrollon gjithçka, duke e kthyer vendin në një lloj monarkie absolute,” u shpreh ai.
Sipas Mediut, mungesa e diskutimeve serioze institucionale për sigurinë dhe qasja ndaj Serbisë si partner, dhe jo si sfidë, përbën rrezik për interesat kombëtare dhe për marrëdhëniet me aleatët perëndimorë.
Ai theksoi se Shqipëria duhet të ketë një qëndrim më të qartë institucional dhe të ndërtojë politika të qëndrueshme në përputhje me standardet e NATO dhe aspiratat për integrim në Bashkimin Evropian.
