“Me Deltat tona do t’i shkojmë në Surrel” – Berisha ashpërson gjuhën ndaj Ramës: Do përfundosh si Maduro

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përdorur tone të forta politike gjatë fjalës së mbajtur në Foltoren e gjashtë të opozitës, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe duke kërkuar largimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku si dhe hetim penal për AKSHI-n.

Nga podiumi para Kryeministrisë, Berisha krahasoi kryeministrin Edi Rama me presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, i cili së fundmi është arrestuar nga autoritetet amerikane. Sipas tij, Rama dhe figura të afërta me të do të kenë të njëjtin fat.

Ai përdori krahasime dhe epitete, duke përmendur emra konkretë dhe duke i lidhur me akuza për korrupsion dhe afera financiare.

“Siç preferon Maduro pijet e forta, ky Ramaduro preferon shishe vere 33 mijë euro. Me Lindat e tij dhe aferat e AKSHI-t,” u shpreh Berisha, duke iu referuar Belinda Ballukut, Mirlinda Karçanajt dhe bashkëshortes së kryeministrit, Linda Rama.

Në vijim, Berisha komentoi edhe operacionin amerikan në Venezuelë, duke deklaruar se, sipas tij, për ndryshim në Shqipëri nuk ka nevojë për ndërhyrje të huaj.

“Nuk themi të zbarkojnë forcat Delta nga Amerika. Ja ku i keni Deltat tanë, këta qytetarë. Ata do të zbarkojnë në Surrel,” deklaroi Berisha, duke theksuar se opozita do ta çojë betejën politike deri në fund.

Ai shtoi se, sipas bindjes së tij, Rama do të përfundojë përballë drejtësisë, ashtu si Maduro, bashkë me bashkëpunëtorët e tij.

Në përmbyllje të fjalës, Berisha uroi qytetarët për Vitin e Ri dhe paralajmëroi atë që e cilësoi si “ndryshim të madh politik”.

“Ne do të triumfojmë. Qytetarët do të përmbysin diktaturën dhe do të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Beteja jonë ndalet vetëm me fitoren e opozitës,” përfundoi kreu i PD-së.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related