Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka paralajmëruar një protestë të fortë të opozitës më 22 mars në Tiranë, duke theksuar se pakënaqësia qytetare është në rritje.
Në një intervistë televizive, ai u shpreh se protesta do të reflektojë “mllefin qytetar”, i cili sipas tij është shtuar ndjeshëm, veçanërisht në qytetet e vogla ku, sipas tij, vështirësitë ekonomike ndihen më shumë.
Korreshi komentoi edhe deklaratën e kreut të opozitës Sali Berisha për “kilometrin e fundit”, duke e cilësuar si një metaforë për presionin në rritje ndaj qeverisë.
“22 marsi është mllef qytetar. Mund të jemi një kilometër larg, por mund të jemi edhe 100 metra,” tha ai, duke shtuar se aksioni opozitar po e afron gjithnjë e më shumë qeverinë drejt përballjes me drejtësinë.
Sipas tij, denoncimet dhe kallëzimet e opozitës, si dhe zhvillimet në institucionet e drejtësisë si SPAK, po rrisin presionin ndaj qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.
Protesta e së dielës pritet të jetë një tjetër test për klimën politike në vend, në një moment kur përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës janë intensifikuar.
