Deputetët e Partisë Demokratike kanë depozituar një kërkesë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë, ku kërkojnë marrjen e një mase disiplinore ndaj ministrit dhe deputetit socialist Taulant Balla, duke propozuar përjashtimin e tij nga aktiviteti parlamentar për një periudhë 30-ditore.
Sipas kërkesës së firmosur nga grupi parlamentar i PD-së, gjatë seancës plenare të datës 11 dhjetor, Taulant Balla ka përdorur gjuhë fyese dhe joparlamentare ndaj deputetëve të opozitës. Demokratët theksojnë se, pavarësisht sjelljes së tij, drejtuesi i seancës nuk ka ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese, në kundërshtim me rregullat në fuqi.
PD argumenton se gjuha e përdorur nga Balla përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes së Deputetit, të cilat ndalojnë shprehimisht përdorimin e gjuhës fyese, diskriminuese apo denigruese në sallën plenare.
Në këtë kuadër, deputetët e opozitës kërkojnë që Sekretariati për Etikën të mblidhet urgjentisht dhe të shqyrtojë rastin, duke vendosur përjashtimin e Taulant Ballës për 30 ditë nga pjesëmarrja në seanca plenare dhe komisione parlamentare.
Gjithashtu, në kërkesë i bëhet apel kryetares së Kuvendit që të zbatojë në mënyrë të barabartë rregulloren për të gjithë deputetët, pa përjashtim, përfshirë edhe anëtarët e qeverisë dhe kryeministrin, sa herë që në sallën e Kuvendit përdoret gjuhë e papërshtatshme ose në shkelje të etikës parlamentare.
