Në mitingun që Partia Demokratike ka mbajtur mbrëmjen e kësaj të premteje në Kavajë, kanë marrë pjesë edhe disa zyrtarë nga vende të ndryshme të botë.
Një prej tyre është edhe eurodeputeti spanjoll Antonio Lopez- Isturiz White, i cili në nisje të fjalimit të tij tha se kishte ardhur në Shqipëri për t’i thënë lamtumirë Edi Ramës.
Ai tha se Europa nuk është një pasaportë, por është Shqipëria, dhe sipas tij, nuk është Edi Rama ai që vendos kush është evropian dhe kush jo, por shqiptarët.
Antonio Lopez- Isturiz White u shpreh se këto zgjedhje nuk mund të manipulohen më, pasi sipas tij, do të vijnë vëzhgues që do të ndjekin vlerat europiane. Ai theksoi se në të gjithë Europën kanë mbetur vetëm tre qeveri të plota socialiste dhe 14 qeveri mike të Partisë Demokratike dhe se në Europë Partia Socialiste nuk ka më ndikim.
Eurodeputeti spanjol u bëri thirrje demokratëve dhe shqiptarëve se vota e tyre nuk është vetëm për Shqipërinë, por një sinjal për Europën.
