Deputeti i Partia Socialiste, Erion Braçe, ka lëshuar kritika të forta gjatë seancës plenare të kësaj të enjteje ndaj drejtuesve të mazhorancës dhe ministrit të Bujqësisë.
Shkak për reagimin e Braçes u bë interpelanca e kërkuar prej tij me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla, e cila sipas deputetit socialist iu delegua ministrit të Shtetit, Ervin Demo.
Me tone të ashpra, Braçe deklaroi se askush nuk mund të përcaktojë se me cilin ministër duhet të zhvillojë interpelancën një deputet, duke iu referuar edhe rolit të kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
“Mungesa e ministrit të Bujqësisë është mungesë respekti ndaj Kuvendit që nuk fsheh paaftësinë epike për të lexuar, jo thjesht për të mos bërë punën”, deklaroi Braçe nga foltorja e Kuvendit.
Ai shtoi se Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit njohin vetëm delegimin e kryeministrit te ministri dhe jo delegimin nga një ministër te një tjetër.
“Nuk mund të përcaktojë një kryetar grupi se me kë deputeti duhet të bëjë interpelancën. Nuk mund të përcaktojë një ministër nëse do e bëjë ai interpelancën apo një ministër tjetër”, u shpreh deputeti socialist.
Braçe nuk kurseu kritikat as ndaj administratës parlamentare, duke folur për atë që e quajti “përtaci mendore” dhe mungesë leximi të ligjeve.
“Po e lexoj unë ligjin për të thyer rregullin e përtacisë mendore që mbizotëron këto kohë”, tha ai.
