Evika Siliņa jep dorëheqjen pas krizës politike të shkaktuar nga hyrja e dronëve ukrainas në hapësirën ajrore të Letoni

Data

Kabineti qeveritar në Letoni është tronditur nga një krizë politike që ka çuar në dorëheqjen e kryeministres Evika Siliņa.

Sipas raportimeve, tensionet nisën pas hyrjes së tre dronëve ukrainas në hapësirën ajrore letoneze më 7 maj. Dronët, që dyshohet se ishin nisur drejt objektivave në Rusi, humbën kontrollin për shkak të bllokimit të sinjaleve dhe përfunduan në territorin letonez.

Njëri prej dronëve u rrëzua, një tjetër goditi një depo të zbrazët produktesh nafte pranë qytetit Rēzekne, ndërsa droni i tretë hyri dhe doli nga hapësira ajrore e vendit. Autoritetet konfirmuan se nuk pati viktima apo të lënduar.

Pas incidentit, kryeministrja kishte shkarkuar ministrin e Mbrojtjes, duke kritikuar reagimin e institucioneve ndaj ngjarjes. Megjithatë, partia progresiste e koalicionit qeverisës vendosi të tërhiqte mbështetjen për qeverinë, duke shkaktuar rrëzimin e koalicionit vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të planifikuara në tetor.

“Po jap dorëheqjen, por nuk po dorëzohem”, deklaroi Siliņa, duke akuzuar kundërshtarët politikë për krijimin e një krize të panevojshme.

Kryeministrja theksoi se incidenti nxori në pah probleme serioze në sistemin e mbrojtjes së vendit, pavarësisht se Letonia investon rreth 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në sektorin e mbrojtjes.

Ndërkohë, presidenti i Letonisë pritet të nisë konsultimet për krijimin e një qeverie të re.

Tensionet lidhur me dronët ukrainas janë reflektuar edhe në Greqi. Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, deklaroi nga Brukseli se një dron detar i prodhuar në Ukrainë, i gjetur pranë Lefkadës, mund të kishte shkaktuar pasoja serioze nëse do të përplasej me një anije turistike ose tregtare.

Sipas autoriteteve greke, droni nuk mbante lëndë shpërthyese, ndërsa Athina paralajmëroi se do të kërkojë sqarime të plota për incidentin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related