Në vitet e fundit, Shqipëria me ndihmën e amerikanëve ka kaluar nëpër një proces të rëndësishëm reformues, me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një nga institucionet më të rëndësishme për të goditur të paprekshmit është SPAK-u. Me dhënien e statusit të të pandehurit për Sali Berishën, stekës më të lartë në grupin e më të fuqishmëve të tranzicionit, Altin Dumani tregoi se askush tjetër nuk është më imun nga trokitja në derë dhe fletëthirrja për t’u përgjigjur përpara drejtësisë
Megjithatë, politika, të cilët kanë nga pas kriminelë, oligarkë dhe biznesmenë të fuqishëm po tentojnë me çdo mënyrë që të sjellin shqetësime të vazhdueshme për funksionimin dhe pavarësinë e këtij institucioni. Rama-Berisha me anë të marrëveshjeve dhe pazareve të pista duan që sërish të mbajnë monopolin e sistemit politik që i ka fillesat që nga viti 2008, por që këtë herë nuk është vetëm për karrige, pasi planet e tyre ogurzeza janë për të goditur SPAK-un, nëpërmjet kontrollit të sistemit të drejtësisë që vetë ata dhe bashkëpunëtorët e tyre të zhytur në afera t’ia hedhin paq si dikur.
Në këtë mes ka një rol shumë të rëndësishëm Gjykata Kushtetuese, e cila me qëndrimin e saj ndaj një padie të Sali Berishës që është marrë i pandehur nga SPAK, mund të kufizojë dhe hedhë në erë gjithë investimin amerikan për një drejtësi të pavarur, të paprekshme dhe të pashantazhueshme nga klasa politike-oligarkike e korruptuar. Nga ana tjetër, është po kjo Gjykatë, e cila mund t’i hapë rrugë lirisht SPAK të shpërbëjë të gjithë të korruptuarit në Kuvend pa asnjë pengesë. Por si mund të arrihet në këto dy skenarë?
Padia e Sali Berishës
Këto precedentë do të krijohen pas shqyrtimit që do të bëhet nga ana e Gjykatës Kushtetuese plenare për ankimimin e Berishës, mbi masën e parë të sigurisë së kërkuar nga SPAK dhe dhënë nga ana e GJKKO, në Tetor të vitit të kaluar, “detyrim paraqitjeje”. Berisha pretendon se SPAK ka shkelur ligjin, pasi edhe për masën detyrim paraqitjeje që ai nuk e zbatoi në muajin Tetor 2023, duhet t’i drejtohej Kuvendit për miratim, sipas Nenit 73, pasi hyn tek masat kufizuese të lirisë. Çështja do kalojë në seancë plenare, për ta shqyrtuar mbi bazë dokumentesh. Në procesin që do mbajë Kushtetuesja, mësohet se palë do të jetë edhe Kuvendi i Republikës. Nëse Gjykata Kushtetuese vendos t’i japë të drejtë Sali Berishës, kjo është një fitore shumë e madhe për gjithë qeverinë socialiste me në krye kryeministrin Rama, si edhe deputetët të tjerë të opozitës.
SPAK do të marrë një goditje të fortë dhe vetë kreu i qeverisë do e ketë më të lehtë të mbrojë veten dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij. Vetëm pak kohë më parë Rama u shpreh se hetuesit e BKH-së, për çdo kontroll, dokument, sekuestrim dosjesh, kompjuterë, USB e telefona të zyrtarëve, duhet të njoftojnë paraprakisht me shkrim kryeministrin, ministrat, sekretarët e përgjithshëm, krye-inspektorët, drejtorët e krye-bashkiakët, dhe të presin deri sa kërkesat të miratohen prej tyre. Por këto burokracira të Ramës bëhen me qëllim që zyrtarët të fshehin, dëmtojnë e zhdukin dosjet, provat, kompjuterët e telefonat.
Madje gazeta “SOT” raportoi në një artikull se Edi Rama urdhëroi dhe Gardën që të mos lejojnë të futin asnjë agjent të BKH në zyrat e Kryeministrisë pa marrë leje. Jo vetëm kaq, për të mbrojtur veten dhe vartësit e tij, Rama arrin që të kalojë dhe mbi Kushtetutën. Për të shpëtuar Olta Xhaçkën që i ka të hapura problemet me SPAK, kreu i qeverisë nuk pranoi pak ditë më parë vendimin e Kushtetueses për t’ia dërguar asaj çështjen e heqjes së mandatit të deputetes. Vendimi alarmoi SHBA dhe BE, pasi zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore që lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit.
Pra nëse Gjykata Kushtetuese tregon se SPAK ka shkelur ligjin për mënyrën se si izoloi Berishën, imuniteti i Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij forcohet. Por nëse kjo Gjykatë rrëzon ish-kryeministrin, terrori për qeverinë socialiste do të shtohet edhe më shumë, pasi 80 % e mazhorancës ka dosje të hapura në SPAK dhe Prokuroria e Posaçme do ta ketë më të thjeshtë për të goditur politikën pa asnjë pengesë.
