Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me raportin e fundit të Reporters Without Borders për lirinë e medias, ku Shqipëria shënoi rënie me tre vende në renditjen botërore.
Në një postim në rrjetin social “X”, Rama kundërshtoi pretendimet për media të kapura nga qeveria, duke argumentuar se dominimi i opozitës në hapësirën mediatike dëshmon të kundërtën.
Sipas tij, të dhënat e një analize të mbështetur në inteligjencë artificiale, e realizuar nga një kompani shqiptare, tregojnë se zërat opozitarë kanë pasur dukshëm më shumë hapësirë në media sesa qeveria.
Rama publikoi disa statistika që, sipas tij, mbështesin këtë argument:
- Zëri i opozitës rezulton 3.57 herë më i lartë se ai i qeverisë;
- Burimet kritike ndaj qeverisë dominojnë 4.67 herë më shumë;
- Toni kritik ndaj qeverisë është 6.4 herë më i fortë se mbulimi pozitiv;
- Opozita ka pasur 368 citime direkte në tituj, kundrejt 108 të qeverisë;
- Sipas AMA, opozita ka zënë 60.12% të kohës televizive politike gjatë muajit mars.
Kryeministri theksoi se në një sistem realisht të kontrolluar mediatik, sipas tij, nuk do të ekzistonte një dominim kaq i madh i zërave kritikë ndaj qeverisë.
“Në një mjedis vërtet me media të kapura, asgjë nga këto nuk do të ekzistonte”, shkroi Rama.
Ai shtoi gjithashtu se qeveria i konsideron reale shqetësimet për pronësinë e mediave dhe kushtet e punës së gazetarëve, por kritikoi mënyrën se si Shqipëria paraqitet në raport.
Sipas Ramës, përshkrimi i vendit si një ambient me media të kontrolluara politikisht nuk përputhet me realitetin empirike të treguesve mediatikë.
