Aksi rrugor Qukës–Qafë Plloçë po përballet sërish me probleme infrastrukturore, ndërsa në ditët e fundit janë evidentuar dëmtime të reja në lotin e dytë të kësaj rruge.
Sipas pamjeve nga terreni, në zonën e njohur si “Kthesa e Trebinjës” janë konstatuar ulje të niveleve në shtratin e rrugës, duke ngritur shqetësime për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e segmentit.
Kjo nuk është hera e parë që aksi has probleme. Vetëm pak kohë më parë, një tjetër pjesë e rrugës pësoi zhytje si pasojë e rrëshqitjes së strukturës mbajtëse. Edhe pse ka kaluar një periudhë e konsiderueshme nga dëmtimi i parë, segmenti ende nuk është rikthyer plotësisht në normalitet dhe qarkullimi vijon të kryhet vetëm në një korsi.
Problematikat në këtë rrugë janë shfaqur që prej inaugurimit të saj. Gjatë reshjeve intensive të muajit nëntor të vitit të kaluar u raportuan dëmtime dhe vështirësi të shumta në qarkullim.
Rruga Qukës–Qafë Plloçë, e cila ka kushtuar rreth 260 milionë euro, u hap për qarkullimin e mjeteve në shtator të vitit të kaluar. Pas problematikave të mëparshme në lotin e tretë, tashmë shqetësimet janë zhvendosur edhe në lotin e dytë të aksit.
