Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar qeverinë se ka përshpejtuar emigracionin dhe shpopullimin e vendit, duke e cilësuar këtë fenomen si një nga pasojat më të rënda të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Në një reagim publik, Blushi iu referua të dhënave të Eurostat, sipas të cilave, gjatë periudhës 2014–2025, Shqipëria ka regjistruar një humbje neto prej rreth 617 mijë banorësh, ose mesatarisht afro 51 mijë persona në vit.
Sipas tij, ritmi i emigrimit neto pas vitit 2013 është rritur ndjeshëm krahasuar me periudhën 2002–2013.
“Shqipëria po përjeton tragjedinë më të rëndë demografike në historinë e saj moderne. Shifrat rrëzojnë çdo propagandë”, deklaroi Blushi.
Ai pretendoi se emigracioni lidhet drejtpërdrejt me varfërinë, mungesën e perspektivës, dobësimin e ekonomisë dhe bujqësisë, si dhe me korrupsionin dhe klientelizmin.
Blushi theksoi se shpopullimi nuk përbën më vetëm një problem demografik, por një rrezik për zhvillimin ekonomik, tregun e punës, sistemin e pensioneve, arsimin, shëndetësinë dhe sigurinë kombëtare.
Sipas tij, qeveria duhej të kishte ndërmarrë politika më të forta për mbështetjen e të rinjve dhe familjeve të reja, rritjen e pagave dhe pensioneve, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Partia e Lirisë, sipas Blushit, synon të ndalë shpopullimin përmes politikave që mbështesin familjet, bujqësinë, arsimin dhe prodhimin vendas.
Akuzat e tij ndaj qeverisë dhe kryeministrit përfaqësojnë qëndrimin politik të Partisë së Lirisë.
