Edi Rama pret në Tiranë ministrin grek të Mbrojtjes Nikos Dendias, në fokus partneriteti strategjik dhe çështja e kufirit detar

Data

Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, katër vite pas vizitës së tij të fundit si ministër i Jashtëm. Vizita u fokusua në bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve, sigurinë rajonale dhe çështjen e kufirit detar.

Fillimisht, Dendias u prit nga ministri shqiptar i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ku sipas njoftimit zyrtar u diskutua për forcimin e dialogut në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Më pas, ministri grek zhvilloi takim edhe me kryeministrin Edi Rama në godinën e qeverisë. Në një reagim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi Dendiasin “mik të çmuar dhe mbështetës të palëkundur të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë”, pa dhënë detaje të tjera mbi bisedimet.

Vizita vjen në një moment kur rikthehet në vëmendje çështja e delimitimit të kufirit detar mes dy vendeve. Mediat greke raportuan se një nga temat kryesore ishte riaktivizimi i procesit për dërgimin e marrëveshjes në Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, një dakordësi e shpallur publikisht në vitin 2020 nga Rama dhe Dendias, atëherë ministër i Jashtëm.

Megjithatë, procesi ka mbetur pezull prej vitesh, ndërsa tensionet e krijuara pas çështjes së Fredi Beleri në vitin 2023 e larguan temën nga vëmendja politike.

Nga ana e tij, Dendias deklaroi në platformën “X” se me Ramën diskutuan mbi zhvillimet gjeopolitike në rajon. Ai përmendi gjithashtu Himarën dhe rolin e minoritetit grek.

“Pata mundësinë të flas për Himarën, ku e konsideroj origjinën time, dhe të përsëris qëndrimin tim se Pakica Kombëtare Greke është një urë miqësie midis dy shteteve dhe popujve”, shkroi ministri grek.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related