Ish-negociatori Artur Meçollari paralajmëron: Marrëveshja Rama-Dendias për Hagën mund ta rikthejë Shqipërinë pranë kufirit detar të vitit 2009 dhe të rrezikojë humbjen e 40 km² hapësirë detare

Data

Vizita në Tiranë e ministrit grek të Mbrojtjes Nikos Dendias ka rikthyer debatin mbi çështjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ish-anëtari i grupit negociator shqiptar dhe ish-zëvendëskomandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, paralajmëron se dërgimi i të gjithë çështjes në Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të sjellë pasoja serioze për interesat shqiptare.

Sipas Meçollarit, dakordësia e arritur mes Edi Rama dhe Dendias më 20 tetor 2020 rrezikon të bëjë nul dakordësitë e arritura gjatë negociatave të vitit 2018, ku pala shqiptare kishte siguruar njohjen nga Greqia të vijës së drejtë bazë të Shqipërisë në detin Jon.

Ai pretendon se kjo vijë i jep Shqipërisë një efekt prej rreth 40 kilometrash katrorë hapësirë detare më shumë krahasuar me marrëveshjen e vitit 2009, e rrëzuar më pas nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë.

“Nëse Shqipëria shkon në Hagë për të gjithë çështjen dhe jo vetëm për mosdakordësitë, atëherë bie dakordësia për vijën e drejtë bazë dhe humbet efekti i saj prej 40 km²”, argumenton Meçollari.

Ai shton se gjatë negociatave të vitit 2018 pala shqiptare kishte arritur disa ndryshime të rëndësishme:

  • ndryshimin e parimit të delimitimit drejt “ndershmërisë” (equité);
  • uljen e peshës së ishujve dhe shkëmbinjve grekë;
  • përfshirjen e Protokollit të Firences të vitit 1925 në draft-marrëveshje;
  • heqjen e elementeve që, sipas tij, ndërhynin në marrëdhëniet turko-greke.

Meçollari paralajmëron se një vendim i Hagës do të ishte përfundimtar, i detyrueshëm dhe i paapelueshëm, ndërsa negocimi i drejtpërdrejtë do t’i jepte Shqipërisë më shumë hapësirë për kompromis dhe mbrojtje të interesave kombëtare.

Ai kujton gjithashtu precedentët historikë, duke përmendur çështjen e Kanalit të Korfuzit në vitin 1949, ku Shqipëria humbi përballë Britanisë së Madhe në Gjykatën e Hagës.

Sipas ish-negociatorit, rruga më e sigurt për Shqipërinë mbetet rikthimi te negociatat e ndërprera në vitin 2018 dhe jo dërgimi i plotë i çështjes në gjykim ndërkombëtar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related