Kryeministri Edi Rama ndodhet në një vizitë në Estonia, ku do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare Lennart Meri Conference 2026, një forum i rëndësishëm për politikën e jashtme, sigurinë dhe sfidat gjeopolitike globale.
Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin estonez Kristen Michal, Rama përdori edhe tone batutash, duke thënë se kishte sjellë “diellin nga Shqipëria” në Talin.
“Ju solla diellin nga Shqipëria”, u shpreh Rama, ndërsa falënderoi homologun estonez për mikpritjen dhe vlerësoi modelin estonez të zhvillimit teknologjik dhe digjital.
Kryeministri shqiptar tha se e kishte imagjinuar Estoninë si “një laborator që shkruhet çdo ditë”, duke shtuar se Shqipëria ka nevojë për shembuj të tillë inovacioni.
“Dua t’u them estonezëve që kemi admirim të plotë për ta, pasi nuk kanë vendosur të jetojnë në një muze, por në të ardhmen”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se Shqipëria synon të mësojë nga eksperienca estoneze në teknologji, arsim dhe inteligjencë artificiale.
“Duam që rruga jonë drejt 2030 të shtrohet me të njëjtin inovacion që e ka bërë Estoninë një markë globale. Edhe ne synojmë të ecim para me inteligjencën artificiale”, tha ai.
Në fund, Rama bëri edhe një koment politik lidhur me qëndrimin ndaj Rusisë dhe presidentit Vladimir Putin.
“Nuk kemi simpati për Putinin në Tiranë, do të ndjeheni si në shtëpi”, u shpreh kryeministri shqiptar.
