Bardhi: Rama po i vendos vetes mburojë nga SPAK me ndryshimet në Kodin Penal

Data

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj nismës së mazhorancës për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po ndërhyn në ligj për të mbrojtur veten nga hetimet e SPAK.

Në një reagim publik, Bardhi u shpreh se ndryshimet e propozuara nuk kanë lidhje me rastin e Belinda Ballukut, por synojnë krijimin e një “mburoje” për vetë kryeministrin.

Sipas tij, Rama po kërkon që funksioni i Kryeministrit të mos mund të pezullohet nga detyra edhe në rast se drejtësia konstaton rrezik për prishje provash apo pengim të hetimit. “Ai sot ndryshon ligjin për t’i vendosur Kryeministrit një mburojë plus nga SPAK-u,” u shpreh Bardhi.

Deputeti demokrat tha se refuzimi i dorëheqjes së Belinda Ballukut nuk është çështje besnikërie politike, por një precedent që lidhet me frikën e kryeministrit për hetime të mundshme ndaj tij në të ardhmen. Sipas Bardhit, ndryshimi i ligjit në mes të një hetimi penal aktiv tregon se mazhoranca po mendon për situata që mund të përfshijnë nivele edhe më të larta të qeverisë.

Ai përmendi gjithashtu çështje të tjera që sipas tij mbeten në hetim, duke theksuar se procedurat ligjore nuk mund të fshijnë “vijat e kuqe” e vendosura nga drejtësia.

“E besoj Edi Ramën, sepse qëllimi i tij është personal. Ai po përpiqet të vendosë një imunitet të ri politik për veten nga SPAK-u,” deklaroi Bardhi, duke shtuar se as BE dhe as SHBA nuk mund të mashtrohen nga, sipas tij, manovra procedurale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related