Në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa vëmendja kryesore mbetet e përqendruar në Mitrovicë, një nga zonat më të ndjeshme të procesit zgjedhor.
Gazetari Klajdi Bodlli, i cili raporton nga Ura e Ibrit, bën të ditur se procesi i votimit deri në orët e pasdites është zhvilluar në një atmosferë përgjithësisht të qetë, pa incidente serioze që do ta vinin në rrezik mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Sipas tij, si në Mitrovicën e Veriut ashtu edhe në Mitrovicën e Jugut nuk janë evidentuar problematika të theksuara gjatë ditës së votimit. Përjashtim bëjnë disa raportime për dyshime mbi votime të organizuara në grup në pjesën veriore të qytetit, të cilat janë evidentuar nga institucionet zgjedhore dhe po monitorohen.
Deri në orën 15:00, në Mitrovicën e Veriut kanë votuar rreth 5 534 qytetarë nga 17 531 të regjistruar, ose rreth 31.5%. Ndërkohë, në Mitrovicën e Jugut kanë votuar 23 118 qytetarë nga 81 478, ose rreth 28.3%. Autoritetet presin që pjesëmarrja të rritet deri në mbylljen e qendrave të votimit në orën 19:00.
Gjatë ditës, drejtuesit kryesorë politikë të vendit kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë në votime, duke theksuar rëndësinë e një procesi demokratik dhe përfaqësues.
Sipas raportimeve nga terreni, nuk janë vërejtur persona të paautorizuar pranë qendrave të votimit dhe nuk ka pasur tensione mes komisionerëve. Qytetarët kanë respektuar radhët dhe procedurat zgjedhore, ndërsa procesi po vijon normalisht.
Numërimi i votave pritet të nisë menjëherë pas mbylljes së votimit, ndërsa rezultatet paraprake mund të publikohen brenda pak orësh. Mbetet për t’u parë nëse këto zgjedhje do të prodhojnë një mazhorancë të qartë qeverisëse apo nëse vendi do të përballet sërish me një ngërç politik.
