“Do të fus në dhe” — Jeton Lami mohon akuzat për gjobëvënie, zbardhet dëshmia pas shpërthimit me tritol në “Perla e Detit”

Data

Emisioni “Në Shënjestër” ka publikuar dëshminë e Jeton Lamit dhe detaje të reja nga dosja hetimore mbi shpërthimin me tritol pranë restorantit “Perla e Detit” në Kamëz, ngjarje e ndodhur më 15 nëntor 2025. Sipas hetimeve, motivi kryesor dyshohet të ketë qenë një gjobë prej 500 mijë eurosh, e cila i ishte kërkuar pronarit të lokalit, Sajmir Sina, pas konflikteve të tij me Flogert Mezhikën për qiranë e ambientit.

Lami mohon akuzat: “S’kam kërcënuar kurrë askënd”

Në dëshminë e dhënë në polici, Jeton Lami ka mohuar kategorikisht se ka pasur ndonjëherë kontakt me pronarin e “Perla e Detit”, apo se i ka kërkuar para.

“Rrethanat e mësipërme nuk janë aspak të vërteta. As nuk kam kanosur dhe as kam kërcënuar ndokënd, e jo më kallëzuesin. Nuk kam asnjë njohje me të dhe nuk mbaj mend ta kem takuar ndonjëherë. Nuk e kam shtrënguar kurrë për dhënie pasurie,”

— ka deklaruar Lami sipas dosjes.

Një kqyrje fizike e tij nga policia përputhet me përshkrimin e bërë nga Sina dhe bashkëshortja e tij: Lami është 197 cm i gjatë, me mjekër të zezë, tatuazhe në të dy krahët dhe flokë të shkurtra.

Dëshmia e Mezhikës: “Sajmiri më tha se do të më fuste në dhe”

I pyetur nga grupi hetues, Flogert Mezhika mohoi çdo përfshirje në ngjarje dhe tentoi të zbusë konfliktin me pronarin Sina. Ai pranoi se kishte pasur keqkuptime për qiranë e një lokali, por tha se situata ishte “sheshuar”.

Sipas tij, në debatin e fundit te lokali “Vila 23”, ishte Sina ai që e kishte kërcënuar:

“Erdhi dhe më tha me ton kërcënues se do të më fuste në dhe. Unë nuk reagova.”

Ai shtoi se më pas Sajmiri i kishte dërguar njerëz për t’i kërkuar falje.

Mezhika pranoi se e njihte Jeton Lamin, por vetëm për faktin që frekuentonin të njëjtin lokal, duke mohuar se kishin pasur ndonjë komunikim të drejtpërdrejtë lidhur me konfliktin.

Qiramarrësi rrëzon versionin e Mezhikës

Klodian M., qiramarrësi aktual i “Perla e Detit”, ka dhënë një dëshmi që bie ndesh me pretendimet e Mezhikës. Ai i ka treguar hetuesve se Mezhika i kishte kërcënuar në verë, duke u thënë se “nuk do ta gëzonin lokalin”, pasi ai pretendonte se duhej t’ia merrte vetë.

“Na tha të hiqnim dorë sepse lokalin do ta merrte ai dhe se ne nuk do e gëzonim dot.”

Kjo dëshmi ka shtuar dyshimet se konflikti ka nisur shumë kohë para vendosjes së eksplozivit.

Pronari i “Vila 23”: “Sajmiri e ofendoi Mezhikën” — por mohon gjobën

Pronari i “Vila 23”, Florin Domi, u përpoq të mbante qëndrim neutral. Ai tha se kishte qenë i pranishëm gjatë debatit ndërmjet Sinës dhe Mezhikës, por mohoi të kishte dijeni për gjobën që thuhet se Lami i vendosi pronarit të lokalit.

Në dëshminë e tij, Domi dha edhe një detaj të rëndësishëm:

  • Jeton Lami është i punësuar në lokalin e tij prej daljes nga burgu, dhe ai i paguan sigurimet.

Ai tha se kamerat e sigurisë nuk funksionojnë prej katër muajsh, pasi pajisja DVR ishte djegur.

Dyshimet e hetuesve: Një treshe e lidhur fort mes tyre

Edhe pse çdo i dyshuar hedh poshtë akuzat, grupi hetues ka ngritur dyshime se:

  • Jeton Lami,
  • Flogert Mezhika, dhe
  • Florin Domi

mund të kenë vepruar së bashku për të ushtruar presion dhe gjobë ndaj Sajmir Sinës.

Të tre frekuentonin të njëjtin lokal, njiheshin mes tyre prej vitesh dhe kishin pasur kontakte të vazhdueshme në ditët para shpërthimit.

Operacioni “Motivi”: Arrestimet dhe personi në kërkim

Policia ka vënë në pranga:

  • Jeton Lami, 31 vjeç
  • Florin Domi, 30 vjeç
  • Flogert Mezhika, 34 vjeç

Ndërsa është shpallur në kërkim:

  • Ervis Lami, 31 vjeç, kushëri i Jeton Lamit, i dyshuar si truri i gjobëvënies.

Sipas policisë:

“Të dyshuarit kanë hedhur lëndë eksplozive në fasadën e biznesit për shkak të mosdhënies së shumës prej 500 000 euro.”

Pamjet filmike tregojnë se personi që vendosi tritolin është larguar drejt zonës ku banojnë dhe frekuentojnë të dyshuarit.

Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar rolin individual të secilit dhe motivet e sakta që çuan në shpërthimin e 15 nëntorit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related