Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është kthyer në një nga njerëzit më të kërkuar në Shqipëri, pasi përfshirjes së tij në afera korruptive, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Ishte fillim korriku kur Ahmetaj u largua menjëherë nga Shqipëria, ndërsa SPAK i kërkoi disa orë më pas Kuvendit dhënien e autorizimit për ta arrestuar si i dyshuar për një sërë veprash penale. Por burime bëjnë me dije se INTERPOL ka rënë në gjurmët e tij. Mësohet se autoritetet po përgatitin ekstradimin e tij drejt Shqipërisë pas refuzimit të azilit në Zvicër. Për të mbështetur kërkesën e azilantit ai gjithë këtë kohë përzgjodhi si rrugë daljet në media. Si fillim ai u shfaq në televizionin e familjes Berisha për të inskenuar rolin e viktimës në mënyrë që të marrë mbrojtje nga autoritetet zvicerane. Nga ana tjetër, ai përdori edhe median italiane “RAI 3”. Kjo tregon qartë se autoritetet kanë refuzuar kërkesën e tij për azil. Por më e keqja për Ahmetajn pritet të vijë në vijim. Gazeta “SOT” e raportoi pak ditë më parë se SPAK ka njoftuar në faqen zyrtare se në kuadrin e ushtrimit të ndjekjes penale për procedimin penal nr. 277/1 të vitit 2022, ku shtetasi Arben Ahmetaj, ka pozicionin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, janë duke u kryer të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale, qoftë ato që çmohen të nevojshme dhe të domodoshme për zbardhjen e fakteve dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të veprës penale si dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm, ashtu edhe ato për zbatimin e masave të sigurimit. “Mbështetur në nenet 103, 279 të K.Pr.Penale si dhe nenin 295/a të K.Penal, nuk mund të bëhen publike, të dhëna më të detajuara. Konfederata e Zvicrës, është palë në Konventën Europiane për Ekstradimin të vitit 1959, dhe bashkëpunimi me të, ndër vite, ka qenë i frutshëm, si në kuadër të ekstradimeve ashtu edhe ndihmës së ndërsjellë juridike”, njoftoi SPAK. Për autoritetet e huaja situata për Ahmetajn është bërë shumë e thjeshtë, pasi tashmë vendndodhja e tij dihet. Por ekziston dhe skenari tjetër që ai po mbahet si dëshmitar kyç i aferave korruptive qeveritare. Mbase Ahmetaj ia hedh paq në fund, duke fundosur ortakët e tij.
Ku po fshihet Ahmetaj?
Pak ditë më parë u shfaq një video në televizion që i është dërguar gazetarit Blendi Fevziu, dhe aty ishte Ahmetaj duke ecur në Zyrih të Zvicrës. Për vendin ku po qëndron Ahmetaj publikuan një artikull pak ditë më parë dhe mediat zvicerane. “Si mundet që një ish politikan i nivelit të lartë, nën hetim për krime shumë të rënda, banon në një ndërtesë në pronësi të bashkisë? Kjo është pyetja e madhe që kanë ngritur në Zvicër për Arben Ahmetajn, qëndrimi i të cilit në Lugano ka filluar të shqetësojë jo vetëm komunitetin atje por edhe politikën lokale. Në drejtim të Bashkisë së Luganos dhe autoriteteve të tjera vendore është kërkuar një interpelancë për informacion rreth Arben Ahmetajt që jeton ne nje vile luksoze nga këshilltarët lokalë Raoul Ghisletta, Edoardo Cappelletti dhe Mattea David”, ishte shkrimi i mediave zvicerane.
Dosja e SPAK për Ahmetajn
Kujtojmë se në dosjen voluminoze të SPAK, për çështjen e inceneratorëve, Ahmetaj akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët kundrejt përfitimeve monetare. Në kërkesën e dorëzuar në Kuvend që mban datën 7 korrik 2023 me firmë të titullarit Altin Dumani, SPAK ndër të tjera kujdeset të renditë të gjitha lidhjet mes Ahmetajt dhe dy sipërmarrësit e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Në disa raste në dokumentin e Prokurorisë së Posaçme kujdeset të theksohet marrëdhënia e ngushtë miqësore mes Ahmetajt dhe të dyve. Arben Ahmetaj në pozicionin e Ministrit të Financave, por edhe më parë si ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në disa raste me vendimmarrjen apo me ndikimin e tij ka bërë të mundur që Zotos e Mërtirit t’i lidheshin kontratat koncensionare për tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Si shpërblim për të gjitha këto veprime sipas SPAK Ahmetaj ka marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë pasuri që kapin vlerën e 500 mijë eurove. Ish-ministri Ahmetaj në kërkim për shpërdorim detyre, fshehje pasurie, korrupsion e pastrim parash për Inceneratorët, akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në vlerë dëmi rreth 7 miliard lekë të vjetra edhe për e privatizimin e frabrikës ‘Buka’. Më 20 korrik SPAK lëshoi urdhër arresti për të, ndërsa disa ditë më vonë u shpall në kërkim ndërkombëtar. Pas 6 muajsh mungesa në Kuvend, Ahmetaj humbi mandatin e deputetit më 6 janar, rrjedhimisht edhe pasaportën diplomatike, të cilën e kishte të vlefshme deri në 2033.
