Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë, teksa procesi zgjedhor po shkon drejt përfundimit.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Kurti theksoi se kanë mbetur më pak se dy orë e gjysmë deri në mbylljen e vendvotimeve, duke nënvizuar rëndësinë e pjesëmarrjes sa më të gjerë në zgjedhje për forcimin e legjitimitetit të institucioneve që do të dalin nga ky proces.
Ai u shpreh se dita e sotme është vendimtare për të ardhmen e vendit dhe se çdo votë ka peshë për drejtimin e Kosovës në katër vitet e ardhshme.
Kurti u bëri thirrje qytetarëve që të mos e shtyjnë votimin për momentin e fundit, duke i ftuar gjithashtu të nxisin familjarët dhe miqtë e tyre që të ushtrojnë të drejtën e votës.
“Dilni dhe votoni, bëhuni pjesë e demokracisë dhe e vendimmarrjes”, përfundoi mesazhin e tij kryeministri.
