Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në spitalin Sant’Andrea në Romë, ku një pacient 43-vjeçar tentoi të vriste shokun e tij të dhomës, një burrë 84-vjeçar.
Ngjarja është regjistruar në repartin e Gastroenterologjisë. Sipas informacioneve paraprake, 43-vjeçari, me origjinë indiane, ka humbur papritur kontrollin dhe ka sulmuar të moshuarin, duke e goditur fillimisht me grushte dhe më pas duke tentuar ta mbysë ndërsa ai ndodhej i shtrirë në shtrat.
Situata u bë kritike për disa momente, por u neutralizua falë reagimit të shpejtë të stafit mjekësor, i cili ndërhyri menjëherë pasi dëgjoi zhurmat dhe thirrjet për ndihmë nga dhoma e pacientëve.
Pas mbërritjes së forcave të rendit, autori i dyshuar ka shfaqur sjellje agresive edhe ndaj karabinierëve, duke i shtyrë dhe duke plagosur disa prej tyre në përpjekje për t’i rezistuar arrestimit.
43-vjeçari është arrestuar dhe është dërguar në burgun Regina Coeli, ku do të përballet me akuzat për tentativë vrasjeje dhe kundërshtim të forcave të rendit. Ndërkohë, 84-vjeçari po merr trajtim mjekësor dhe ndodhet nën kujdesin e stafit shëndetësor.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë.
