Kush do të ishte bashkëpunëtori ideal i Donald Trump në Evropë? Ka shumë kandidatë potencialë apo të pakërkuar, por jo të gjithë kanë të njëjtën “axhendë”. Ekziston një konsensus i gjerë rreth Mark Rutte, Sekretarit të Përgjithshëm të ri të NATO-s dhe ish-kryeministrit holandez, i cili me siguri mund të negociojë me një president republikan për çështjet e sigurisë
Por ka të paktën tre politikanë të tjerë kryesorë në Evropë, të cilët e paraqesin veten si bashkë-mendimtarë dhe për këtë arsye më të përshtatshëm për Donald Trump. Ata janë kryeministri hungarez Viktor Orban, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti polak Andrzej Duda.
Të paktën tre burime të NATO-s, të cilët dëshiruan të mbeten anonimë, i thanë Deutsche Welle-s se Rutte kishte një marrëdhënie të mirë me Donald Trump në mandatin e parë të kandidatit republikan dhe se kjo është një nga arsyet pse ai u zgjodh si kreu i ri i Aleancës.
Siç vë në dukje Camille Grand, një analist i politikave të mbrojtjes në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), gjatë mandatit të parë të Trump, “Rutte dihej se ishte në gjendje të tërhiqte interesin e presidentit amerikan, por në të njëjtën kohë qëndronte i palëkundur në qëndrimet e tij”, si në kontaktet dypalëshe ashtu edhe në samitet e NATO-s.
