Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht deputeti i qarkut Durrës për PD-në, Oerd Bylykbashi, shprehet se nuk ka shqiptar dhe agjenci ligjzbatuese shqiptare apo e huaj që nuk e di se çfarë shtrati i nxehtë për krimin e organizuar është qyteti i Durrësit.
Çështja lidhet me ngarkesën e madhe të kontejnerëve të mbushur me mbetje të rrezikshme ,që sipas burimeve do të mbërrijë në Durrës në orët e para të mëngjesit të nesërm.
Në këtë kontekst, Bylykbashi theksoi se informatat e para lidhur me ngarkesën ishin për sot, por që në mënyrë të papritur mbërritja është shtyrë për nesër. Ai nënvizoi se ky ndryshim i papritur ngjall dyshime, duke shtuar një tjetër pikëpyetje për mënyrën e menaxhimit të këtij rreziku të madh. Deklarata e tij përmend mungesën e plotë të transparencës që e ka shoqëruar të gjithë këtë proces, një mungesë e cila, sipas tij, përbën një problem të thellë dhe një shqetësim serioz për qytetarët.
Për të përforcuar qëndrimin e tij, Bylykbashi rikujtoi një paralajmërim që kishte bërë në parlament vite më parë, në vitin 2014-2015, ku e përshkroi Durrësin si kryeqytetin e krimit të organizuar. Sipas tij, situata e tanishme është një provë konkrete e përshkallëzimit të këtyre aktiviteteve kriminale dhe mungesës së përkushtimit të autoriteteve për të siguruar transparencë dhe për t’i informuar qytetarët për ngjarjet që kanë ndikim të madh në jetën e tyre.
