Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, është paraqitur këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Karçanaj po hetohet në kuadër të dosjes së njohur si “AKSHI”, ku së bashku me disa persona të tjerë, mes tyre Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, akuzohet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, ndaj të dyshuarve janë ngritur akuza për konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.
Karçanaj kishte qenë më herët nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, por pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Lartë vendosi lehtësimin e masës duke e zëvendësuar atë me “detyrim paraqitje”.
Sipas hetimeve të SPAK, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri konsiderohen ndër figurat kryesore të skemës së dyshuar kriminale. Prokuroria pretendon se ata kanë ushtruar presion ndaj operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në tendera publikë për të ndikuar në rezultatet e procedurave të prokurimit. Të dy vijojnë të jenë në kërkim.
Ndërkohë, Karçanaj dhe ish-zëvendësja e saj, Hava Delibashi, akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, me pretendimin se kanë favorizuar kompani të caktuara përmes procedurave të manipuluara.
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka sekuestruar pasuri me vlerë të konsiderueshme që lidhen me personat nën hetim. Sipas Prokurorisë së Posaçme, vlera totale e pasurive të sekuestruara në këtë dosje arrin në rreth 40 milionë euro.
Hetimet për dosjen e AKSHI-t vijojnë, ndërsa SPAK po verifikon të gjitha procedurat e tenderimit dhe burimin e pasurive të personave të përfshirë në çështje.
