Përshkallëzohen tensionet në Lindjen e Mesme, Irani ngrin kontaktet me SHBA-në ndërsa Trump ndërhyn për të frenuar sulmet izraelite në Bejrut

Data

Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm pas sulmeve të reja izraelite në Libanin jugor dhe paralajmërimeve të forta nga Irani, i cili ka vendosur të pezullojë kontaktet diplomatike me Shtetet e Bashkuara për shkak të zhvillimeve të fundit në rajon.

Situata u përshkallëzua pasi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, autorizoi operacione të reja ushtarake kundër objektivave të lidhura me Hezbollah, përfshirë zona në periferi të Bejrutit. Më pas, ushtria izraelite lëshoi urdhra evakuimi për banorët e disa lagjeve në jug të kryeqytetit libanez.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane paralajmëruan se çdo zgjerim i operacioneve ushtarake drejt Bejrutit mund të sjellë një reagim të drejtpërdrejtë kundër objektivave në veri të Izraelit. Këshilltari i lartë iranian, Mohsen Rezaei, deklaroi se durimi i forcave të armatosura iraniane “ka kufijtë e tij” dhe la të kuptohet se Teherani mund të përdorë pozicionin strategjik në Ngushticën e Hormuzit në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm.

Sipas mediave iraniane, negociatorët e Teheranit kanë ngrirë komunikimet me SHBA-në dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë, duke e lidhur këtë vendim me vazhdimin e operacioneve ushtarake izraelite në Liban. Raportimet sugjerojnë gjithashtu se Irani po shqyrton masa të tjera, përfshirë kufizime në korridoret detare strategjike të rajonit.

Në këtë klimë tensioni, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike “shumë produktive” me Netanyahun. Sipas Trump, është arritur një mirëkuptim për të shmangur zgjerimin e operacioneve ushtarake në Bejrut.

“Nuk do të ketë vendosje trupash në Bejrut dhe njësitë që ishin në lëvizje janë tërhequr”, deklaroi presidenti amerikan, duke shtuar se përmes ndërmjetësve është arritur një dakordësi për uljen e shkëmbimeve të zjarrit mes palëve.

Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimet ndërkombëtare për një zgjerim të konfliktit përtej kufijve të Libanit dhe Izraelit. Ekspertët paralajmërojnë se çdo përfshirje e drejtpërdrejtë e Iranit ose ndërprerje e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit mund të ketë pasoja të mëdha për sigurinë rajonale dhe tregjet globale të energjisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related