Mijëra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e së hënës në qendër të Tiranës për të protestuar kundër projektit turistik që parashikohet të zhvillohet në zonën e Zvërnecit. Tubimi, i organizuar pas ngjarjeve të fundit në zonë, u zhvillua fillimisht pranë Ministrisë së Brendshme dhe më pas u zhvendos para godinës së Kryeministrisë.
Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe si “Shqipëria nuk është në shitje”, “Anulo projektin” dhe “Rama ik”, ndërsa kërkuan anulimin e investimit që sipas tyre cenon mjedisin, interesin publik dhe të drejtat e komunitetit lokal.
Gjatë protestës u dëgjuan thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, por edhe kritika ndaj gjithë klasës politike, si mazhorancës ashtu edhe opozitës. Pjesëmarrësit theksuan se përgjegjësia për situatën në Zvërnec nuk i përket vetëm qeverisë aktuale, por një sërë vendimmarrjesh të ndërmarra ndër vite.
Kjo ishte protesta e dytë radhazi në Tiranë lidhur me projektin në Zvërnec, ndërsa organizatorët paralajmëruan vijimin e mobilizimit deri në tërheqjen e plotë të projektit.
Ndërkohë, kryeministri Rama reagoi sërish në mbështetje të investimit, duke deklaruar se Shqipëria ka nevojë për projekte zhvillimi që bashkëjetojnë me natyrën. Ai solli si shembull projektin turistik Costa Navarino në Greqi, duke argumentuar se investime të tilla mund të sjellin zhvillim ekonomik, vende pune dhe rritje të vlerës së territorit pa dëmtuar ekuilibrat mjedisorë.
Sipas Ramës, një pjesë e kundërshtimeve ndaj projektit janë nxitur nga dezinformimi dhe paragjykimet, ndërsa ai këmbënguli se zona e Zvërnecit do të vazhdojë të ruajë statusin e saj të mbrojtur.
Protestë edhe kundër terapisë hormonale për personat transgjinorë
Paralelisht me protestën për Zvërnecin, në Tiranë u zhvillua edhe një tubim i organizuar nga një grup qytetarësh dhe organizatash familjare, të cilët kundërshtuan udhëzimin e ri të Ministrisë së Shëndetësisë për ofrimin e terapisë hormonale për personat transgjinorë në sistemin publik shëndetësor.
Pjesëmarrësit kërkuan rishikimin e vendimit dhe zhvillimin e një debati më të gjerë publik mbi këtë çështje. Nga ana tjetër, autoritetet shëndetësore kanë bërë të ditur se trajtimi do të ofrohet sipas protokolleve mjekësore dhe nën mbikëqyrje të specializuar në Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Dy protestat u zhvilluan pa incidente të raportuara nga autoritetet dhe me prani të shtuar të forcave të rendit.
