Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga opozita, Dorian Teliti, ka ngritur alarmin për situatën e rënduar në sektorin e transportit publik, duke paralajmëruar se ai ndodhet në prag të paralizës.
Në reagimin e tij, Teliti thekson se kriza është rezultat i drejtpërdrejtë i braktisjes nga qeveria dhe bashkia, në një moment kur operatorët përballen me rritje të fortë të kostove, veçanërisht të karburantit.
Sipas tij, paralajmërimi i shoqatave të transportit për ndërprerjen e shërbimit nga java e ardhshme tregon qartë se situata është drejt kolapsit ekonomik, ndërsa qytetarët janë ata që po paguajnë pasojat.
Teliti kritikoi gjithashtu mazhorancën në Këshillin Bashkiak, duke theksuar se është refuzuar kërkesa për të diskutuar krizën në transport, çka sipas tij tregon mungesë përgjegjshmërie dhe vizioni.
Ai i bëri thirrje qeverisë që të ndërhyjë urgjentisht duke ulur taksat mbi karburantin, në mënyrë që të lehtësohet barra financiare për operatorët dhe të shmanget rritja e çmimit të biletave apo falimentimi i linjave.
Njëkohësisht, Teliti kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak për të diskutuar situatën dhe për të marrë masa konkrete në mbështetje të sektorit.
“Transporti publik nuk është luks, por një nevojë jetike”, theksoi ai, duke paralajmëruar se nëse nuk merren masa të menjëhershme, kryeqyteti rrezikon një paralizë të plotë të shërbimit urban.
