Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet nesër në seancë plenare për të shqyrtuar dhe ratifikuar Marrëveshjen e pranimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes. Kërkesa për thirrjen e seancës është dorëzuar nga 30 deputetë të Partisë Socialiste.
Rendi i ditës përcakton:
- 10:00 – Seanca plenare për miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e Marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes”.
- 11:00 – Mbledhja e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme për shqyrtimin e projektligjit, e ndjekur nga rikthimi në seancë për votim.
Bordi i Paqes është një nismë ndërkombëtare e propozuar nga presidenti i SHBA-së që synon mbikëqyrjen e paqes dhe stabilitetit në zonat e konfliktit, fillimisht në Rripin e Gazës dhe më pas në sfida të tjera globale.
PD ka ngritur shqetësime për mënyrën se si është thirrur seanca, duke theksuar se deputetët dhe publiku duhet të njoftohen së paku dy ditë para mbledhjes, sipas rregullores parlamentare. PD argumenton se në seancën e fundit plenare u vendos që gjatë kësaj jave të mos ketë seanca, dhe se çdo ndryshim duhet njoftuar me kohë.
