Disa ditë më parë emisioni “Stop” tregoi sesi avokatja e Lushnjes, Klotilda Kola, kishte mashtruar disa qytetarë duke u marrë paratë pa u mbaruar asnjë punë. Në Dhomën e Avokatëve Lushnje, kryetari, Kozma Jano, tha se Klotilda Kola është pa licencë dhe e paregjistruar në tatime prej më shumë se 8 vjetësh. Ajo ka ushtruar profesionin në mënyrë të paligjshme dhe ka mashtruar dhe vjedhur qytetarët gjatë gjithë kësaj kohe.
Në redaksinë e “Stop” kanë mbërritur të tjera denoncime për Klotilda Kolën. Ajo ka mashtruar edhe 4 familje të një fisi për nxjerrjen e certifikatave të pronësisë në Lushnjë. Pasi ata kanë bërë pagesat, ajo i ka mbajtur me shpresë deri në ditën kur mbylli zyrën dhe u zhduk papritur. Vera Kaloti thotë se ka paguar 2 milionë lekë e në fund të prillit, avokatja u zhduk.
Vera Kaloti, denoncuese: Kam paguar 2 milionë lekë. Më 29 prill u zhduk. Nuk u përgjigj më.
Habil Sula, ka paguar 7500 euro dhe nuk ka asnjë informacion për Klotilda Kolën.
Habil Sula, denoncues: Unë kam paguar 7500 euro dhe jam interesuar për nipin dhe vëllain.
